Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë arritën vlera rekord

0
372
rezervat e arit

Vlerë rekord prej 147 milion EUR arritën rezervat e arit në Bankën e Shqipërisë në fund të korrikut. Kjo vlerë u rrit në krahasim me atë te vitit të kaluar. Shenjë kjo të një stabiliteti ekonomik.

Rezervat e arit rriten në krahasim me një vit më parë

Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se rezervat e arit janë rritur me 73% krahasuar me një vit më parë. Rritja e vlerës së arit ka ardhur njëkohësisht nga zgjerimi i investimeve të bankës qendrore në këtë instrument. Një arsye tjetër eshtë edhe nga rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në intervalin kohor korrik 2019-korrik 2020, vlera e arit është rritur me rreth 32% dhe kjo ka qenë fitimprurëse si një instrument investimi i rezervës valutore të vendit. Aktualisht, një ons ari është kuotuar në vlerën e 206.000 lekëve ose rreth 1660 euro.


Milionerët e vegjël në Shqipëri në shtresën e mesme


Shkaku i rritjes së vlerës për rezervat e arit

Kriza Covid-19 dhe “përmbytja” e tregut të likuiditetit për të ndihmuar ekonominë kanë rritur kërkesën për metale të çmuar, të cilat perceptohen nga investitorët si aktive më të sigurta për të ruajtur vlerën në kohë krize.

Ari monetar tashmë zë 3.6% të rezervave valutore të vendit, ndërsa në maj ai kishte arritur peshën më të lartë specifike të regjistruar ndonjëherë, në 3.9% të totalit. Pas rritjes së fortë të rezervës valutore nga fondet e Eurobondit në qershor, pesha specifike e arit pësoi një rënie të lehtë.

Eurobondi bëri që rezervat valutore të vendit të tejkalojnë kufirin prej 4 miliardë eurosh për herë të parë në mes të këtij viti. Në fund të korrikut, vlera e aseteve rezervë ishte 4.12 miliardë Euro ose afërsisht 32% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo shumë është pothuajse katërfishi i deficitit të llogarisë korente të vitit të kaluar.

Rritja e vlerave një fenomen i përkohshëm

Sidoqoftë, rritja në nivele kaq të larta pritet të jetë e përkohshme, pasi një pjesë e Eurobondit do të përdoret për të shlyer atë të vitit 2015.

Pjesë e cila maturohet në vjeshtë, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për programin e rindërtimit dhe mbulimin e deficitit buxhetor.

Gjatë pesë viteve të fundit, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë është zgjeruar me 56%. Rritja u bë kryesisht përmes blerjes së monedhës në tregun e brendshëm.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është plotësimi i nevojave emergjente të ekonomisë për valutë të huaj. Por edhe zbutja e goditjeve eventuale që mund të ndikojnë në stabilitetin financiar të vendit.

Commenti